Projekti “Trashëgimia e gazetës “Drita” në një prezantim multimedial” erdhi si njё ide bashkёpunimi midis departamentit tё Letёrsisё dhe departamentittё Gazetarisё e Komunikimit. Pёr realizimin e tij u angazhuan gjatё njё periudhe 12 mujore pedagogё nga tëdyja departamentet, tё cilёt patёn nё fokus zbardhjen e mёnyrёs sё receptimit tё letёrsisё nё disa forma: nё pёrthyerjen e saj kritike te shkrimet kritike tё gazetёs “Drita”,- si organi i Lidhjes sё Shkrimtarёve dhe Artistëve tё Shqipёrisё; pёrthyerjen e saj nё forma tё tjera artistike, siç janё filmat e frymёzuar prej teksteve letrare; si dhe pёrthyerjen kritike tё kulturёs nё pёrgjithёsi (ҫ’ndodhte me tё) pёrgjatё periudhёs 1945-1990.
Qёllimi i kёtij projekti ishte:
Të fuqizonte kёrkimin shkencor nё nivel fakulteti;
tё propozonte njё model tё ri kёrkimi shkencor qё sjell rezultate prej kёrkimit ndërdisiplinar – kёtu, si rezultat i bashkёpunimit mes studiuesve tё letёrsisё dhe ekspertёve tё medias dhe komunikimit;
tё konkretizonte kërkimin në botim shkencor me parametra matës (statistika, grafikë, lista bibliografike, analiza, interpretime, foto etj.,), të realizuar nga departamenti i Letërsisë;
tё konkretizonte kërkimin në njё gjuhë multimediale (fotografi, intervista, video, materiale të tjera të regjistruara në audio, hiperlinqe, të dokumentacionit të shfrytëzuar etj.,), të realizuar nga departamenti i Gazetarisё dhe Komunikimit;
tё fuqizonte imazhin akademik tё FHF-sё, pasi produkte tё tilla konkrete, të prekshme dhe të aksesueshme online afrojnё edhe mё shumё studentё pranё kёtij fakulteti.
Duke marrë në shqyrtim pёrthyerjen e letёrsisё nё fokusin e kritikёs në gazetёn “Drita”, si njёra prej gazetave mё tё rёndёsishme tё komunikimit kritik masiv gjatë realizmit socialist në Shqipëri, ky projekt ndjek zhvillimet, prirjet e letёrsisё sё kohёs, kufizimet dhe, sidomos, orientimet me bazё ideologjike qё i mvisheshin letërsisë.
Nё kёtё udhёtim historiko-analitiko-krahasues të kritikës së botuar në faqet e gazetës “Drita” gjatë periudhës 1961-1990, janё marrё nё konsideratё rreth 3217 artikuj gjithsej, 2908 artikuj kritikë, pjesë e fragmente letrare për letërsinë shqipe dhe 319 artikuj kritikë,pjesë e fragmente letrare kushtuar letërsisë botërore. Nё bazё tё ndarjeve tematike dhe specifike janё bёrё pёrgjithёsimet e rastit. Për disa nga periudhat më të rëndësishme,që lidhen me lëvizjet në mendimin kritik, sidomos novatorizmi, janë përzgjedhur për çdo vit artikujt që kanë në fokus letërsinë, si dhe vetë pjesët letrare në poezi dhe prozë.
Artikujt kritikë të përzgjedhur, të cilët janë veҫuar sipas gjykimit nga artikujt e tjerë që kanë natyrë të papërcaktuar, apo që janë të natyrës së reportazhit, reflektohen në fund të studimit, duke plotësuar pjesën e dytë të tij, me bibliografinë e artikujve të përzgjedhur. Në thelb kjoështë një bibliografi tematike, e para në llojin e saj, si përligje ndaj të gjitha dukurive të vëzhguara dhe analizuara në këtë punim. Kuptohet se, nga vlerësimi dhe përzgjedhja e artikujve mund edhe të ketë një marzh të vogël gabimi në lëvizjet numerike,të cilin punimet e ardhshme në këtë fushë mund ta saktësojnë.
Gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri (1945-1990), jeta kulturore dhe intelektuale ishte nën kontrollin dhe ndikimin e ideologjisë komuniste. Censura dhe autocensura luajtën një rol kyç në përcaktimin e asaj që mund të krijohej, publikohej apo promovohej në fushën e artit, kulturës dhe medias. Në këtë kuadër, gazeta kulturore "Drita" dhe Kinostudio "Shqipëria e Re" u pozicionuan si dy shtylla thelbësore të propagandës shtetërore në kulturë, duke reflektuar ideologjinë komuniste në dy forma të ndryshme, por komplementare: fjalën e shkruar dhe imazhin viziv.
Gazeta "Drita" shërbeu si një forum për kritikën letrare dhe artistike, ku shkrimet dhe analizat promovonin vlerat e realizmit socialist dhe mesazhet politike të kohës. Ajo ishte një instrument që jo vetëm përcillte por edhe mbështeste direktivat e pushtetit, duke ndikuar thellë në perceptimin e publikut mbi letërsinë dhe artet. Nga ana tjetër, Kinostudio "Shqipëria e Re" funksionoi si platforma vizuale kryesore për të transmetuar propagandën përmes kinematografisë, duke krijuar një narrativë të orkestruar që pasqyronte ndryshimet politike, shoqërore dhe ekonomike të periudhës.
Studimi mbështetet në kombinimin e metodave shkencore sasiore e cilësore me atë krahasuese. Gjithashtu është bërë desk research për t’u qasur burimeve dhe dokumentacionit të dorës së parë, siç janë gazeta Drita periudha 1961-1990, filmografia që i korespondon të njëjtës periudhë (202 filma); dokumenta nga Arkivi Qendror i Shtetit, Dosje të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, Arkivi Qendror i Filmit Shqiptar.
Janë shfletuar mbi 1600 numra të gazetës Drita të botuara në harkun kohor 1961-1990. Kjo periudhë ndahet në 6 nën-periudha me qëllim që të kapen ndryshimet. (Këtu i referohemi pleniumeve të KQPPSH dhe direktivave të tyre për ndryshimet dhe specifikat e çdo periudhe, për të identifikuar ngjarjet si pika kthese brenda specifikave të kuadrit kohor të dhënë.)
Ndër të tjera janë analizuar edhe 586 artikuj të zhanreve të ndryshme mbi çështje të artit, kulturës dhe filmit artistik shqiptar si dhe janë realizuar edhe 10 intervista të strukturuara në disa nivele: ish-redaktorë dhe gazetarë të gazetës Drita, kineastë, zyrtarë të ish KQPPSH, apo me gazetarë bashkëpunëtorë të gazetës Drita, studiues të medias.
Retro Drita - Të gjitha të drejtat e rezervuara © - by gridcartels.com
Privacy & Policy