Pak HISTORI

Nga Bashkim Kuçuku
Institucionet letrare, ndër to edhe gazetat dhe redaksitë e tyre, janë dukuri të përgjithshme, universale në konceptin, qëllimin, strukturat, funksionin. Gazeta Drita (1961-1990; – 2007), organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e pranëvënë me gazeta a revista të tjera, homologe në vende me liri mendimi, ka qenë, thuajse, e ngjashme në strukturë dhe në organizim. Ndërsa, në koncept, qëllim dhe funksion ka qenë ndryshe dhe e kundërt, sepse, këto ishin një përzierje bipolare: letërsi-ideologji, ose, anasjellas.
Dalja e kësaj të përjavshmeje letrare dhe artistike, në janar 1961, e para dhe e vetmja në Shqipërinë e atëhershme, natyrisht, ka qenë ngjarje. Për letërsinë dhe artet në vetvete, në autonominë e tyre, ishte domosdoshmëri e brendshme e proceseve krijuese. Vitet 1960, sikurse vërehet, tanimë, edhe në rrafshin historiografik, kanë shënuar kufirin e një ndryshimi cilësor me letërsinë e viteve 1950, sidomos me poezinë dhe prozën e brezit më të ri të shkrimtarëve, disa prej të cilëve u bënë përfaqësues kryesorë të saj. Mirëpo, në totalitarizmin stalinist, çdo institucion letrar, apo, artistik, që ngrihej, domosdoshmërisht kishte dhe qëllim ideologjik. Prandaj, është vështirë të thuhet, nëse, fillimisht u paramendua funksioni i saj ideologjik, dhe erdhi mendimi nga lart, apo, u paramendua funksioni letrar nga shkrimtarët poshtë, dhe, pastaj, dihej, që do t’i bashkëngjitej detyra ideologjike. Edhe Drita, krahas propagandës për dogmën e realizmit socialist, do të ishte dhe libri, regjistri a dosja e hapur në të cilën do të shpreheshin me dëshirë shkrimtarët dhe artistët. Kështu, që, ishte edhe një mënyrë kontrolli publike. Shmangja nga vija zyrtare, nëpërmjet saj, nëse do të kishte, bëhej e dukshme dhe e dokumentuar.
Titulli, i huazuar nga Rilindja, qe domethënës, me kulturë e endje poetike. Edhe Gëte, e mbylli jetën, duke shqiptuar: Mehr Licht!/Më shumë dritë mendimi! Rimarrja e tij ndërmendte traditën më të njohur të shtypit shqiptar, që prej fillimit deri në vitet 1930. Para saj kishin pasë dalë pesë gazeta e revista me po këtë titull. Shqiptarët, ndonëse, në zemër të Mesdheut, ku dielli përcëllon, asnjëherë nuk kanë pasur mjaftueshëm: dritë kulture, arsimi, dijeje, shkencore, qytetarie, politike, shtetërore. Një titull kaq i pëlqyer dhe i përdorur nga gazetarët dhe shkrimtarët, veç dëshirës e qëllimit, shënon edhe obsesionin e tyre për të plotësuar idealisht dritën e munguar.

Retrodrita Gazete
Retrodrita Gazete Retrodrita Gazete

Për shumë vjet, mbi kokën e gazetës ishte thënia e Naim Frashërit “Dhe drit’ e diturisë përpara do na shpjerë”. Megjithëse, domethënia e saj anonte nga dituria, arsimimi, të cilën, revista e parë rilindase Drita–Dituria e kishte qëllim dhe lëndë kryesore, përsëri, edhe drita letrare artistike, përveç dijes së metaforizuar, kishte rrezen e vet. Me sa ishte e lejueshme, përcillte dritë emocionale, pastronte dhe emanciponte, shpirtin njerëzor.
Pas Plenumit famëkeq të KQ të Partisë (1973) kundër liberalizmit në letërsi dhe arte, thënia e Naim Frashërit u zëvendësua me thënien e Enver Hoxhës “Shkrimtarët dhe artistët janë ndihmës të partisë në edukimin komunist të masave punonjësve”. Ky ndryshim rrënjësor i idesë për Dritën (jo për lëndën dhe qëllimin, të cilat edhe më parë ishin po ato) zëvendësonte iluminizmin rilindas shekullor e panbotëror. Fjala ndihmës, shërbëtor, çirak i vinte shkrimtarët dhe artistët, sikurse ishin, në vartësi të hapur dhe në shërbim të plotë të ideopolitikës. Drita (1961-1990) e tillë ishte, edhe pa thënien e vartësisë. Filozofia iluministe naimjane, pa mohuar dëshirën e ndoca idealistëve, kishte qenë demagogji, sa për të përfituar në autoritetin e saj, duke ndërmendur një traditë dhe emër tepër të çmuar.
Atëherë, pati edhe shenja të përngjasimit me Revolucionin Kulturor Kinez në përkrahjen e posaçme të shkrimtarëve amatorë nga klasa punëtore, me botimin me përparësi të krijimeve të tyre, punësimin në redaksi, praninë në kolegjiume letrare e artistike, në tërheqjen e mendimit kritik të masave punonjëse, punëtorëve, ushtarëve e ushtarakëve. Krahas këtyre përshtatjeve à la chinoise u mbart edhe vet gjedhja tejet proletarizuese me botimin e poezive dhe të tregimeve kineze, të shkruara nga grupe punëtorësh, ose, Gardistësh të Kuq, pa emër e mbiemër autorësh, thjesht me mbishkrimin- nga një grup punëtorësh, gardistësh të kuq.
Në gazetë, shkruhej “Organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”. Formalisht, ishte në vartësi të Kryesisë së saj, e cila e ndiqte me vëmendje, jepte porosi e bënte vërejtje, sidomos profesionale.
Mirëpo, si çdo organ shtypi, edhe Drita ishte në vartësi të epërme nga Zyra e Shtypit në KQ të Partisë, dhe përmbi të, nga sekretari i KQ për ideologjinë, Ramiz Alia. Mbikqyrej, po ashtu, nga zyra kulturore në Kryeministri, nga sekretari ideologjik i komitetit të Partisë të Tiranës, dhe, në fund, nga komiteti i partisë i Rajonit nr.1, ku përfshihej administrativisht Lidhja e Shkrimtarëve. Këtyre vëzhguesve nuk u binte radha të bënin vërejtje, se kishte zëra të tjerë madhorë. Për të qenë brenda, edhe ata rrinin me laps në dorë, për të kapur shkarjet, dyshimet e tyre i dërgonin lart. Një rrjet kaq i gjerë mbikqyrjeje të shumëfishtë, pa harruar lexuesit syçelë të ideologjizuar, edhe sikur mos të donin shkrimtarët e artistët, do të shndërrohej edhe në organ a institucion ideologjik, në të cilin funksioni letrar ishte dytësor. Mbikqyrja institucionale e masive e hapur, shoqërohej, plotësohej e saktësohej me një mbikqyrje tjetër, me mjete përgjimi.
Vartësia prej kryesisë së Lidhjes shtonte një përbërës ndërlikues, ndërfuste mëritë a egon vetiake. Klanet e grupet e kishin të pamundur. Ndonjë nga ata, që kishte pushtet, në kryesi, me forma të tërthorta arrinte të zbehte lavdinë e shemrit, ta mënjanonte nga veprimtari e nderime të caktuara. Më të ndjeshme ishin situatat e ndeshjes së rivalitetit Agolli-Kadare, kryetar dhe anëtar kryesie, asnjëherë me cilësimin e njëmendët, por, i shtyrë në prapaskenë, dhe, i mbuluar me shkaqe të tjera. Shkaku i pakënaqësisë jo rrallë “gjendej” në redaksi, te sektori i kritikës, i cili, sipas situatave, gjykohej, herë, se vepra e re e Kadaresë nuk ishte vlerësuar meritueshëm, dhe, herë të tjera, se ishte vlerësuar tej masës së “merituar”. Kryeredaktori, gjithashtu, dhe sekretar i partisë së Lidhjes, e përdorte “mjeshtërisht” këtë “rivalitet” lavdie, në emër të parimeve, duke fituar mbështetjen e kryetarit dhe besimin e eprorëve më lart.
Pavarësisht situatave të vartësisë e të mbikqyrjes, Drita ishte ndër katër gazetat kryesore më të lexuesshme, edhe pse për të tjerat pajtoheshin të gjitha bibliotekat e qyteteve dhe të fshatrave, institucionet e fushave përkatëse, dhe mijëra qytetarë nga trysnia psikologjike për të treguar devotshmërinë ndaj sistemit.
Me shkrime kritike, recensione, shkrime përgjithësues, informacione dhe njoftime, ajo ka përcjellë ecurinë e letërsisë, të arteve pamore dhe të muzikës shqiptare. Duke botuar poezi dhe tregime të zgjedhura, nga krijimtaria më e fundit, ka ndikuar, gjithashtu, te lexuesi për ta ndjekur letërsinë në vazhdimësi. Drita, tanimë, është në shkuarën. Në të sotmen i përket historiografisë së letërsisë shqipe, që nuk mund ta përjashtojë të vetmin institucion të përjavshëm të jetës letrare dhe artistike në atë periudhë.
Vjeshtë, 2021


Retro Drita - Të gjitha të drejtat e rezervuara © - by gridcartels.com

Privacy & Policy